Carl Friedrich Deckler – Ndarja e Hektorit nga Andromaka dhe Astinaksi, 1918

Carl Friedrich Deckler (1838-1918) – Ndarja e Hektorit nga Andromaka dhe Astinaksi, 1918

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
…piktori e paraqet Hektorin pak çaste para se të ndahej nga gruaja Andromaka, dhe të shkonte në duluftim me Akilin, në qafimin e ndarjes para duarsh shihet fëmija i tyre Astinaksi – Akili do ishte fitimtar i duelit, do ta vriste Hektorin, por kjo pati qenë e mundur me ndihmën e perëndeshës Athina. Fuqinë Akili e pati marrë nga “mrekullia” e lëngut magjik që ia pati dhënë ta pinte perëndesha Athina. Ehuuu e lehtë të triumfosh ashtu, me ndihmën e hyjnorëve, me ndihmën e lëngut magjik, ngjashëm siç ia bënte dhe Asterix-i i Galisë, kur i duhej për t’i grushtosur centurionët romakë : )

Pas vrasjes së Hektorit, derisa pushtimi i Trojës në vlugun e vet, djali i Akilit, Neptolemusi e mbyt Astinaksin (me paramendim, duke e hedhur nga muret e qytetit). Sipas Virgjilit, vrasjen e fëmijës Neptolemusi e pati “arsyetuar” me fjalët: “…mund t’bëhet mbret i Trojës, e ne s’duam që Troja t’ketë mbret ndonjëherë” – thuhet se grekët e patën shkatërruar Trojën tërësisht, se patën djegur e rrënuar gjithçka, pa mëshirë qenë vrarë pothuaj të gjithë meshkujt, pak prej tyre do mbijetonin, mirëpo thuhet se pjesa dërrmuese e femrave qenë kursyer, kishin tjera “plane” për to, do ishin diç si “plaçkë” e luftës, pra shumica e grave do robëroheshin, e edhe Andromaka me Astinaksin si fëmijë, të cilin Neptolemusi e rrëmben nga krahët e nënës së tmerruar dhe thjesht për ta hedhur nga maja e mureve të Trojës…